Një tjetër “discesa in campo” në Itali- Flavio Briatore si Berluskoni: I gatshëm për t’u përfshirë në qeverinë e Salvinit
Milioneri i njohur italian Flavio Briatore nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në politikë në të ardhmen. Në një intervistë të gjatë për “Il Foglio” ai deklaron se është gati dhe se ka gati edhe emrin e partisë së tij: Lëvizja e të Bërit (Movimento del Fare).
Sipërmarrësi i njohur thotë se është i gatshëm që të ndihmojë Matteo Salvinin në një qeveri me drejtim legist (nga Lega Nord). Briatore i ka objektivat e qartë për lëvizjen e tij politike.
“Duhet të rindezim ekonominë, të krijojmë punë, tërheqim investime. Ndoshta për mua, gjithçka duhet të nisë nga kantieret, veprat e papërfunduara, trenat e shpejtësisë së lartë etj” shprehet ai.
Kjo nuk është hera e parë ku një një figurë e njohur e biznesit në Itali zgjedh që të “zbresë në fushë” në politikë. Hyrja në politikë e Silvio Berluskonit e njohur edhe si “discesa in campo (zbritje në fushë)” në vitin 1994 erdhi pas përfshirjes së tij në debatin politik në 1993 dhe pas projekteve të vitit 1992.
Përfshirja në politikë e Berluskonit u bë me një metaforë nga fusha e futbollit që nënkupton ‘futje në fushë’ dhe emri i forcës së tij politike “Forza Italia” i përshtatej sloganit të botërorit të vitit 1982 që u fitua nga skuadra italiane.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.