“Një vaksinë për çdo adult deri në Maj”, Biden: Me 3 vaksina, pritet të arrihet objektivi. Prioritet hapja e shkollave
Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara pritet të kenë mjaftueshëm vaksina për çdo të rritur në vend, deri në fund të muajit Maj. Biden lajmëroi se Merck&Co do ndihmojë rivalin Johnson & Johnson për të prodhuar vaksinën me 1 dozë të Covid-19, në një partneritet të ngjashëm me ato të Luftës së Dytë Botërore. Me tre vaksina në dispozicion, Biden tha se ka besim se vendi do arrijë objektivin e dërgimit të 100 milionë dozave në 100 ditë.
“Një nga objektivat kur mora detyrën ishte të administronim 100 milionë vaksina në 100 ditët e para të detyrës. Ne kemi arritur gjysmën e atij objektivi në vetëm 37 ditë dhe kam besim që do ta arrijmë të gjithin.”
Biden i bëri gjithashtu thirrje shteteve amerikane që t’i japin prioritet vaksinimit të mësuesve, në mënyrë që fëmijët të rikthehen së shpejti në shkolla. Ai tha se çdo edukator të ketë marrë të paktën 1 dozë deri në fund të muajit mars. Biden tha se rritja e prodhimit të 3 vaksinave do të nxisë përpjekjen për të rihapur shkollat, pasi mësimi në distancë ka shtuar shqetësimet mbi shëndetin mendor dhe rrezikun e zgjerimit të pabarazive.
“Le ta trajtojmë mësimin në klasa si një shërbim bazë. Kjo nënkupton se duhet të vaksinojmë menjëherë punonjësit bazë, përfshirë edukatorët, stafin e shkollave dhe kujdestarët. Mbi 30 shtete kanë marrë hapin për t’i dhënë prioritet edukatorëve për vaksinimin. Sfida ime për të gjithë shtetet është kjo: na duhet që edukatorët, stafi i shkollave dhe kujdestarët të marrin të paktën një dozë deri në fund të muajit Mars. ”
Biden tha se objektivi vazhdon të jetë hapja e shumicës së shkollave deri në fund të 100 ditëve në detyrë, por shtoi se kjo kërkon kalimin e paketës së tij të ndihmave ndaj Covid prej 1.9 trilionë dollarë në Kongres.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.