Pas fondit 20 milion euro, një delegacion i Fondit të Zhvillimit të Katarit vjen në Shqipëri! Ndihmë për rindërtimin e godinave të shërbimeve publike
Një delegacion i Fondit të Zhvillimit të Katarit vjen në Shqipëri për të vlerësuar nevojat që ka vendi pëer procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Kjo u konfirmua nga ambasadori i Katarit në Shqipëri, gjatë takimit me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Referuar njoftimit zyrtar të Kuvendit, ambasadori ka premtuar se ndihma e Katarit do të vazhdojë deri ditën e fundit të rindërtimit. Fokusi i mbështetjes së Katarit do të jetë kryesisht në rindërtimin e ndërtesave të shërbimeve publike.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri, i cili i dorëzoi letrën e Kryetarit të Parlamentit (Asamblesë Konsultative) të Katarit, Ahmed bin Abdullah al-Mahmud, në të cilën shpreh ngushëllimet për humbjen e 51 jetëve dhe dëmet e tjera të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryetari i Kuvendit, Ruçi, e falenderoi Ambasadorin Al-Marri për letrën e simpatisë dhe të mbështetjes. “Solidariteti i Emirit, Asamblesë Konsultative, Presidentit të Asamblesë dhe popullit të Katarit është një inkurajim i madh për të përballuar pasojat e tërmetit. Ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë që thotë se miqtë e mirë duken në ditë të vështira. Ndihmën tuaj nuk do ta harrojmë kurrë. Megjithë përpjekjet tona, jemi të vetëdijshëm se burimet financiare dhe kapacitetet teknike të Shqipërisë janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme për të përballuar fazën e rindërtimit. Prandaj e kemi të nevojshme ndihmën dhe kontributin e Shtetit të Katarit dhe jemi të bindur se ajo do të vazhdojë.”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
Ruçi shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Ambasadës dhe Ambasadorit të Shtetit të Katarit, për ndihmat emergjente për familjet e prekura nga tërmeti në Durrës, Thumanë, Vorë, Kavajë.
Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri nënvizoi se “mbështetja e Katarit për Shqipërinë do të vazhdojë përtej ndihmave të emergjencës”.
Pas tërmetit të 26 nëntorit,Katari ka deklaruar mënjeherë mbështetjen përmes një fondi 20 milionë euro në ndihmë të Shqipërisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.