Pelosi nis procedurën e ‘impeachment’ për Trump – Çfarë nënkupton kjo lëvizje
Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së shumicës demokratike njoftoi mbrëmë vendimin e marrë nga deputetët për fillimin e procedurës së ‘impeachment’, aktakuzën ndaj Presidentit Donald Trump. “To impeach” do të thotë të akuzosh dikë për tradhti apo një krim të kryer ndaj shtetit dhe në realitetin amerikan kjo përdoret kur i referohemi një zyrtari të lartë publik. Në thelb, kjo fjalë ka kuptimin e fajësimit të një zyrtari publik për një krim që e bën të papërshtatshëm për detyrën të cilën ai ushtron. Një ‘bombë’ e nisur mbi fushatën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020 e cila ka të ngjarë të jetë më përçarësja në historinë amerikane.
Pelosi, e treta për nga rëndësia në qeverinë amerikane, mori vendimin pas muajsh të tërë rezistence, ndërkohë që një pjesë e partisë së saj tashmë po bënte presion për ndërmarrjen e hapit të madh, duke e lidhur kërkesën me hetimin e Rusisë (Russiagate). Duke mos qenë e sigurt se kjo ishte strategjia e duhur, Pelosi arriti të zbusë degën e krijuar në partinë e saja, e bindur se ky hap mund të shndërrohej në një bumerang për demokratët. Por tani, përballë çështjes së Ukrainës dhe pranimit të vetë presidentit amerikan se ka bërë presion ndaj Kievit për të hetuar djalin e Joe Biden, pozicioni i tretë i shtetit nuk ka pasur zgjidhje tjetër.
Trump akuzohet se ka shkelur Kushtetutën Amerikane duke u përpjekur të “rekrutojë” një qeveri të huaj në mënyrë që të marrë ndihmë të dobishme politike për rizgjedhjen e tij: pra të godasë kundërshtarin e tij më të mundshëm në votime. Trump është akuzuar gjithashtu se nuk pranoi të bashkëpunonte me Kongresin, i cili i kërkoi qartësi për thirrjen telefonike famëkeqe të 24 korrikut që ai pati me drejtuesin e Ukrainës Zelenskyi, në të cilën të paktën tetë herë ai i kërkoi të niste hetime për korrupsion mbi kompaninë në bordin e së cilës qëndronte djali i Bidenit.
Karta e parë që Trump do të luajë tani do të jetë publikimi i zbardhjes së bisedës telefonike me Zelenskyi, për të treguar se asnjë tradhti ndaj Kushtetutës nuk ka ndodhur brenda mureve të Zyrës Ovale. Gjithashtu Shtëpia e Bardhë po përgatitet të dorëzojë në Kongres deri në fund të javës edhe denoncimin nga informatori i cili raportoi thirrjen telefonike të Donald Trump drejtuar liderit ukrainas Voldymyr Zelensky, dhe raportin relativ të inspektorit të përgjithshëm.
Ironikisht, në 25 shtator Trump do të ketë një samit dypalësh me presidentin ukrainas Zelenskyi, në margjinat e asamblesë së përgjithshme të KB, në orën 14:15. Një takim ballë-përballë potencialisht i sikletshëm, në mes të stuhisë së krijuar për shkak të telefonatës në të cilën Trump i kërkoi atij të hetonte Biden duke kërcënuar se do të bllokonte ndihmën ushtarake në Kiev në rast të kundërt. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.