Penalizohen 36% e bizneseve turistike, Vjero për “TV SCAN”: Kontrolluam 6 mijë biznese, u lëshuan 2 mln kupona
Aksioni antiinformalitet, i cili sapo ka përfunduar në zonat turistike, duket se ka dhënë rezultatet pozitive si në të ardhurat në buxhetin e shtetit, ashtu edhe në formalizimin e bizneseve.
Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, u shpreh gjatë një interviste në studion e TV SCAN, se gjatë kontrolleve të bëra në zonat turistike pati një efekt prej 5.4 milion lekë shtesë në xhiron e deklaruar, si dhe ndryshuan përgjegjësi tatimore mbi 1 mijë biznese.
“Gjatë kësaj periudhe ne kemi monitoruar dhe kontrolluar në territor më shumë 6 mijë tatimpagues, ku 36 për qind të numrit janë të penalizuar, dhe penalizimet më të shpeshta kanë qenë në ato që lidheshin me mosdeklarime të sakta, me moslëshimin e kuponit, apo punonjës të padeklaruar, mos trasmetimi me kasë ka qënë një fenomen që është gjetur në shumë raste, dhe patjetër që është penalizuar nga administrate tatimore”.
Ndërsa lidhur me nismën e kryeministrit për bashkimin e Tatimeve me Doganat, Vjero tha, se tashmë ky proces i ka hedhur hapat e parë, pasi shkëmbimi i informacionit mes dy administrative po funksionon.
Ajo vlerësoi se procesi do t’i vije në ndihmë shumë biznesit në uljen e procedurave dhe shkurtimit të kohës.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.