Për çfarë ankohen bizneset? – Raporti/ Nga gjobat e padrejta, tek zhdoganimet e rimbursimi
Bizneset kanë adresuar 33 kërkesë-ankesa gjatë muajit nëntor kundrejt institucioneve të ndryshme publike në vend, ku Ministria e Financave mban kryesimin.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka publikuar raportin, ku vihet re se sipërmarrja ka një sërë shqetësimesh që i pengon në punën e tyre. Kështu kundrejt Ministrisë së Financave, ankesat kryesore të bizneseve janë për vonesa në zhdoganim malli; kërkesë për ri kontroll tatimor; kërkesë aplikimin e çmimit të referencës në dogana dhe jo të çmimit të transaksionit; ankesë për gjobitje të padrejtë nga ana e Hetimit Tatimor, ankesë për veprime e procedura arbitrare nga ana e Drejtorisë Rajonale Tatimore në kundërshtim të plotë me legjislacionin tatimor; raportim në lidhje me kalimin e padrejtë në statusin e biznesit të madh; mungesë informacioni mbi gjobitjen për punonjës të padeklaruar, problematikë në lidhje me rimbursimin e TVSH; vendosje gjobe për mos prerje të kuponit, anulim akt vlerësimi.
Ndërsa ka sipërmarrje që kanë dërguar sugjerime në lidhje rishikimin e disa pikave në Paketën Fiskale. Po ashtu një sërë kërkesash dhe ankesash janë adresuar edhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për mosrespektimin e afateve ligjore për dhënie licence, ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe mbi faturime. Për ministrinë e Bujqësisë janë paraqitur kërkesa për sqarim si dhe ankesa për gjoba të padrejta nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.