Performanca fiskale gjatë prillit – Thuajse të gjithë treguesit e të ardhurave rezultojnë mbi planifikimin
Shifrat e prillit të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë flasin për një performancë të mirë të treguesve kryesorë fiskal, dhe rikthimin në nivelet para pandemisë. Kështu, të ardhurat tatimore si TVSH neto, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga Drejtoria e përgjithshme e tatimeve për 4 mujorin 2021 janë realizuar në masën 79.9 miliardë lekë, 6.7 miliardë ose 9.2% më shumë se 4 mujori i vitit të kaluar, si dhe 1 miliardë lekë, ose 1.3% më shumë se plani i 4 mujorit 2021 i ndryshuar. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar bruto, u realizuan në masën 17.6 miliardë lekë, 2.4 miliardë ose 16% më shumë se 4 mujori 2020, si dhe 4 miliardë ose 29.9% më shumë se plani i ndryshuar i TVSH për tu arkëtuar në 4 mujorin 2021, tregojnë shifrat zyrtare.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 13 miliardë lekë, 2.1 miliardë lekë, ose 19.7% më shumë se 4 mujori 2020, si dhe realizim në masën 100% kundrejt planit të ndryshuar. Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 12.9 miliardë lekë, 1.9 miliardë lekë ose 16.8% më shumë se 4 mujori 2020, si dhe realizim në masën 97.9% kundrejt planit të ndryshuar. Taksat nacionale, për periudhën Janar-Prill 2021 u realizuan në masën 11.27 miliardë lekë, 2.4 miliardë lekë ose 25.7% më shumë se 4 mujori 2020, si dhe realizim në masën 102.8% kundrejt planit të ndryshuar. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u realizuan në masën 35.1 miliardë lekë, 3.8 miliardë lekë ose 11.9% më shumë se 4 mujori 2020, si dhe realizim 102.3% të planit të ndryshuar për 4 mujorin 2021.
Sa i përket të ardhurave doganore ndërkohë, si TVSH e importit, akciza, taksa doganore dhe renta minerare u realizuan në vlerën 52.8 miliardë lekë, 9 miliardë lekë ose 20.7% më shumë se 4 mujori 2020, si dhe 100% realizim i planit të ndryshuar, të të ardhurave doganore për 4 mujorin e vitit 2021. Thuajse të gjithë treguesit e të ardhurave doganore, me përjashtim të të ardhurave nga renta minerare, janë realizuar në masën 100% karshi planifikimit. Të ardhurat nag renta minerare rezultojnë në një masë realizimi prej rreth 96%, tregojnë shifrat zyrtare.
Në total, përqindja e realizimit të të ardhurave gjatë prillit fiksohet në 103% të planit të ndryshuar.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.