Përgatitja për vaksinimin anti covid-19 / TV Scan brenda qendrës së parë të ngritur në stadiumin “Air Albania” (Video)
Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në total, në këtë qendrës vaksinimi do të ngrihen 60 pika, duke parashikuar që secila prej tyre të realizojë nga një vaksinë në orë.
Shkallët e stadiumit janë ndarë në 2 pjesë, ku në njërin krah do të ulen personat që do të presin për të kryer vaksinimin, ndërsa në krahun tjetër personat e vaksinuar, duke mundësuar qëndrimin për 30 minuta, për të parë reagimin. Vaksinimi në qendrën e parë do të kryhet përgjatë 8-10 orëve, ndërkohë që të parët që do të përfitojnë janë mjekët dhe infermierët e 4 spitaleve COVID.
Kjo nënkupton se brenda një dite do të mund të realizohen 480-600 vaksinime. Më pas, referuar deklaratave të zyrtarëve të shëndetësisë procesi do të vijojë me mjekë dhe infermierë të urgjencave dhe reanimacioneve.
Paralelisht, është bërë e ditur se janë siguruar edhe kapacitetet frigoriferike për 30 mijë vaksina, duke qenë se vaksina e Pfizer, që do të aplikohet në vendin tonë kërkon ruajtjen e saj në -70 gradë në mënyrë që të jetë efektive. Procesi i vaksinimit pritet në nisë në javën e tretë të muajit janar, teksa në vend do të mbërrijnë 10 750 dozat e para, ndërkohë që 30 250 doza të tjera do të vijnë në shkurt.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.