Përshpejtimi i ardhjes së vaksinave anticovid. Qeveria, 3 Akte Normative/ Ndryshime me COVAX dhe negociata me prodhuesit në çdo vend
Qeveria ka dorëzuar në Kuvend disa Akte Normative, që lidhen me vaksinat anticovid, duke synuar përshpejtimin e procesit të mbërritjes në vendin tonë. Akti i parë, parashikon ndryshime në marrëveshjen që qeveria shqiptare ka me aleancën Gavi, mbi shpërndarjen e vaksinave përmes mekanizimit COVAX. Sipas relacionit shoqërues, aleanca GAVI ka propozuar ndryshime në statusin e autorizimeve të përdorimit emergjent, duke lejuar të përshpejtohet caktimi i vaksinave që kanë marrë autorizimin e përdorimit emergjent në mënyrë që të mos vonohet me alokimin e tyre. Akti i dytë Normativ parashikon autorizimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre. Sipas relacionit shoqërues, përmes negociatave për sasinë e dozave do të përcaktohet edhe çmimi, pagesa apo parapagesa, detyrimet dhe modalitetet e transportit, përgjegjësisë së palëve, gjykimit të mosmarëveshjeve ashtu edhe për të gjitha detyrimet e të tjera që mund të burojnë nga lidhja e një marrëveshje të tillë. Ndërkaq, Akti tjetër Normativ, lidhet pikërisht me lejimin për përdorim në vendin tonë edhe të vaksinave të tjera, përveç atyre që janë autorizuar nga rregullatorët evropianë apo amerikanë të barnave. Deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur në total 80 325 vaksina, nga të cilat 41 925 doza të vaksinës Pfizer, si dhe 38 400 doza të vaksinës Astra Zeneca, si pjesë e mekanizimit COVAX.
VAKSINAT QË KANË MBËRRITUR NË VENDIN TONË
11 janar 975 doza Pfizer
2 shkurt 1 170 doza Pfizer
15 shkurt 7 020 doza Pfizer
22 shkurt 8 190 doza Pfizer
1 mars 15 210 doza Pfizer
12 mars 38 400 doza AstraZeneca
15 mars 9 360 doza Pfizer
TOTALI 80 325 doza
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.