Pezullimi i lejeve për punonjësit te Hipoteka? Avokati i Popullit nis verifikimet: Do dalim me konkluzione pas shqyrtimit të çështjes
Zyra e Avokatit të Popullit nisi me iniciativë dhe në mënyrë të pavarur shqyrtimin e rastit të pezullimit të lejeve të zakonshme për punonjësit e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
“Një urdhër i titullarëve të këtij institucioni i ka njoftuar në mënyrë të papritur punonjësit e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, se të gjitha lejet e zakonshme vjetore të miratuara, do të ndërpriten në mënyrë të menjëhershme. Lejet e zakonshme vjetore të punonjësve janë një e drejtë që garantohet me ligj në Republikën e Shqipërisë ndaj zyra e Avokatit të Popullit ka nisur punën për të verifikuar nëse ky rast paraqet elementë të shkeljes së Kodit të Punës dhe të drejtave të punonjësve. Ndërprerja e njëanshme e lejeve vjetore që punonjësit kalojnë me familjen është vetëm një nga aspektet e zakonshme të abuzimeve me të drejtat e tyre nga titullarë dhe institucione të ndryshme në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu në këtë deklaratë, Avokati i Popullit ka reaguar edhe për shkarkimet apo dorëheqjet e detyruara në administratë.
“Gjithashtu edhe presionet, intimidimet, shkarkimet e pajustifikuara si dhe dorëheqjet e detyruara rezultojnë nga ankesat e qytetarëve të jenë një realitet i pranishëm në administratë. Një numër i madh ankesash e shqetësimesh të kësaj natyre parashtrohen çdo ditë në Institucionin e Avokatit të Popullit si dhe gjejnë pasqyrim të vazhdueshëm në media”, thuhet në njoftim.
Zyra e Avokatit të Popullit pas përfundimit të shqyrtimit të çështjes do të dalë me konkluzionet përkatëse në lidhje me rastin.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.