Plani i shpenzimeve i Scholz – Gjermania synon uljen e taksave dhe investime në dixhitalizim
Gjermania do të përdorë të ardhurat më të mëdha nga taksat për të nxitur investimet në dixhitalizim këtë vit dhe ulur barrën tatimore për punëtorët me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas ministrit të Financave, Olaf Scholz. Duke prezantuar vlerësimet e përditësuara të taksave për autoritetet federale, rajonale dhe lokale, Scholz tha se hapësira për rritje të mëtejshme të shpenzimeve është e limituar dhe se qeveria federale do të ketë 10.8 miliardë euro të disponueshme për masa shtesë deri në vitin 2022.
Scholz tha se qeveria do të përdorë të ardhurat shtesë nga taksat për të nxitur krijimin e një fondi të dixhitalizimit, drejt të cilit ministria e Financave do të transferojë 2.4 miliardë euro këtë vit. Nga viti 2019, Scholz synon të ulë taksat për punëtorët me të ardhura të ulëta e të mesme. Ai tha se hapësirat fiskale në të ardhmen do të përdoren për të financuar projektet e rëna dakord në marrëveshjen për koalicon, si rritja e shpenzimeve në mbrojtje dhe ndihmat për zhvillimin.
Javën e kaluar, Scholz prezantoi planet e shpenzimeve që projektojnë rënien e investimeve publike nga viti 2020 dhe këshilloi ministritë që të gjenerojnë më shumë fonde që të përballojnë shpenzimet e tyre. Ministritë e Mbrojtjes dhe Zhvillimit në Gjermani, kanë kundërshtuar planet e buxhetit të Scholz, duke thënë se bien ndesh me dakordësinë e arritur gjatë koalicionit.
Mungesa e rritjeve të theksuara të shpenzimeve në ushtri ka tërhequr kritika nga zyrtarët amerikanë, që i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të arrijë më shpejtë objektivin e NATO për shpenzimet në mbrojtje në 2% të PBB. Ekonomia e Gjermanisë ka qenë në rimëkëmbje që prej vitit 2010 dhe qeveria federale ka mbajtur një buxhet të balancuar që prej 2014-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.