Presidenca njofton ceremoninë e betimit për 8 prokurorët e SPAK! Struktura fillon nga puna me 19 dhjetor
Struktura Speciale Anti-Korrupsion ose ndryshe SPAK është një nga institucionet më të reja që Reforma në Drejtësi ka sjellë në Shqipëri.
Kjo prokurori speciale pritet të bëjë hetime ndërmjet zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve në krimin e organizuar, duke çuar përpara gjykatës ata që Ambasada Amerikanë në një video shpjeguese i ka cilësuar si “të paprekshmit”.
Pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje nga ana e KLP-së, 8 prokurorë janë gati të nisin detyrën në këtë strukturë dhe presidenti ka dhënë miratimin për kryerjen e ceremonisë së betimit.
Këshilltari për mediat i presidentit, Tedi Blushi njofton se ceremonia për betimin e Altin Dumanit, Arben Krajës, Behar Dibrës, Edvin Kondillit, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçit, Enkeleda Millonait, Klodian Brahos,do të mbahet të enjten e ardhshme në presidencë në orën 09:30.
SPAK pritet të ngrihet me datë 19 Dhjetor pikërisht pas betimit të 8 prokurorëve, duke shkrirë kështu pas 15 vitesh Gjykatën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi sqaroi dje se më 18 dhjetor do të bëhet intervistimi publik i tre kandidatëve për kreun e SPAK. KLP pas dëgjesave publike me votim pritet të përzgjedh mes Dumanit, Krajës e Kondilit për t’i dhënë mundësi SPAK të nisë nga puna.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.