Privatët, interes për energjinë diellore – Aplikimi pranë MIE për central 50 MW në Libofshë të Fierit
Investitorët kanë rritur interesin për ndërtimin e centraleve të mëdhenj fotovoltaikë, teksa në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbërritur një aplikim nga shoqëria“Info-Telecom”. Shprehja e interesit parashikon ndërtimin e një centrali me fuqi të instaluar prej 50 MW, në Libofshë të Fierit, ndërkohë që investitori nuk do të përfitojë nga masat mbështetëse. Ky aplikim vjen 2 muaj pasi Këshilli i Ministrave i hapi rrugë ndërtimit të 2 impianteve të mëdhenj në zonën e Sheq-Marinasit në Fier, që do të jenë investime private e që gjithashtu nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse. Secili prej centraleve do të ketë një fuqi të instaluar prej 50 MË, me një total prej 100 MW, teksa koha për ndërtimin e vënien në operim do të jetë brenda 50 muajve nga marrja e lejes së ndërtimit.
Centralet “Blue 1” dhe “Blue 2” do të ndërtohen nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment” dhe “Matrix Konstruksion”, ndërkohë që sipas vendimit të qeverisë, konsorciumi do të duhet t’i japë falas, në formën e një rente “minerare”, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma do të duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.
Ndërkaq, përveç investimeve private tashmë janë shpallur fituesit në ankandet për ndërtimin e parkut fotovolaik në Spitallë me një fuqi të instaluar prej 100 MË dhe parkun e Karvastasë, me fuqi të instaluar 140 MW. Ndërtimi i këtyre impianteve pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht energjia diellore mbetet pak e shfrytëzuar në vendin tonë, teksa në prodhim janë 11 impiante të vegjël, me fuqi totale të instaluar 21 MW.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.