Profili i Orieta Kristos/Kush është gruaja në biznes në SHBA që u përfshi në listën e 40 profesionistëve të suksesshëm nën moshën 40 vjeç
Orieta Kristo emigroi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara në moshën 14 vjeçare, pa ditur pothuajse fare anglisht. Sot ajo është drejtuese ekzekutive e një kompanie të suksesshme sigurimesh që e themeloi para 5 vjetësh, “Horizon Insurance”. Zonja Kristo është përzgjedhur nga Revista e Biznesit e Usterit, në Shtetin e Masaçusetsit, si një nga 40 profesionistët e suksesshëm nën moshën 40 vjeç për vitin 2019.
Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, zonja Kristo foli për karrierën e saj, balancimin me jetën personale dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan në qytetin e saj dhe në shtetin e Masaçusetsit.
Për Orieta Kriston, vendimi për të hapur një biznes të vetin nuk ishte i lehtë. Ajo kishte një karrierë të stabilizuar, në një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve “Liberty Mutual”.
Zonja Kristo e themeloi kompaninë “Horizon Insurance” në vitin 2014. Sot ajo u shërben 3,500 klientëve në shtetin e Masaçusetsit, duke plotësuar nevojat e tyre për sigurime automjetesh, banesash, të jetës dhe të bizneseve të tyre. Kompania e saj ka siguruar afro 5 milionë dollarë në shitje.
60 për qind e klientelës së kompanisë vjen nga komuniteti shqiptar në zonën e Usterit dhe Bostonit në Masaçusets.
“Këtë komunitet e kam pikë të dobët sepse kur unë erdha fillimisht me familjen time isha vetëm 14 vjeç dhe ka qenë shumë komunitet i vogël, kanë qenë 10 ose 15 familje të sapoardhura nga Shqipëria dhe nuk po flas për shqiptaro-amerikanët”, thotë ajo për valën e dytë të emigracionit të shqiptarëve që kanë ardhur në Uster, pas viteve ’90. Vala e parë ishte ajo e fillimit të shekullit të kaluar. Dega e sigurimeve, sidomos për shqiptarët e sapoardhur është shumë e ndërlikuar dhe ne mundohemi t’ua shpjegojmë atyre në një mënyrë që ta kuptojnë dhe të zgjedhin produktin që ata duan, kur vjen puna për mbulimin e makinës, apo për mbulimin e shtëpisë” shprehet ajo.
Një e veçantë e tjetër e “Horizon Insurance” është mosha e re e ekipit: mesatarisht 33 vjeç. Pothuajse i gjithë ekipi përbëhet nga gra.
Megjithëse shumica e punonjësve në industrinë e sigurimeve në Shtetet e Bashkuara janë gra, pjesa më e madhe e drejtuesve ekzekutivë janë burra. Zonja Kristo thotë se në punë nuk e sheh veten si femër ose mashkull, por si person biznesi.
“Gruaja është shumë e fortë, jo vetëm në shtëpi apo që të rrisim fëmijët, ose të ndihmojmë familjen, por gruaja është shumë e fortë edhe në biznes. Ne kemi një lloj intuite që – dhe nuk është se po ul meshkujt fare, aspak – por e kemi atë intuitën, mbase që jemi edhe nëna, fëmija mund të ketë diçka që është sëmurë, është vrarë, ne e ndjejmë dhe në biznes kjo të ndihmon jashtë mase në shumë vendime” shprehet ajo.
Ajo e themeloi kompaninë, kur i kishte fëmijët të vegjël, por sot thotë se e ka gjetur çelësin e balancës.
Përfshirja në listën e 40 profesionistëve të suksesshëm nën moshën 40 vjeç nga Revista e Biznesit e Usterit, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të pazakontë.
“Ishte një domethënie e madhe për mua, jo vetëm e ardhur këtu në Amerikë në moshën 14 vjeçare, nuk flisnim asnjë llaf anglisht, por një grua në biznes dhe çdo gjë e kam bërë në jetën time vetë” shprehet ajo.
Një peng i zonjës Kristo ishte që nëna e saj Valentina, nuk arriti ta shihte këtë vlerësim ndaj saj, pasi vdiq para tre vjetësh nga kanceri.
Ajo ia dedikon asaj suksesin, duke thënë se praninë e saj e ndjen çdo ditë.
“’40 under 40’ ia dedikoj asaj, që t’i them ‘mami, bravo, bëre shumë punë të mirë me mua.”
Familja është motivimi kryesor në jetë i zonjës Kristo.
“Dua që fëmijët e mi të jenë krenarë për mua dhe gjithmonë çohem në mëngjes dhe mendoj ‘OK, dua të bëj dy ose tre gjëra që në radhë të parë, dua të bëj veten time krenare dhe në radhë të dytë si mund t’i jap një buzëqeshje një personi’”.
Artikulli i plotë: https://www.zeriamerikes.com/a/5251014.html
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.