Projektet e mëdha të Pavarësisë: Nga hapja e Rrugës së Arbrit, tek aeroporti i Vlorës dhe abetarja unike
Festat e Nëntorit janë pritur edhe si ogur për fillime të reja të projekteve infrastrukturore për vendin tonë dhe jo vetëm, por edhe për inaugurimin e veprave të rendësishme, për të cilat është punuar me vite. Por cilat janë projektet e mëdha të Pavarësisë? Rruga e Arbrit tashmë është bërë një realitet i prekshëm për të gjithë qytetarët, pasi është vendosur në funksion të plotë.
Përmes një video nga segmenti i përfunduar i rrugës së Arbrit , kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’u urojë shqiptarëve ditën e Çlirimit. Punimet për këtë projekt kanë nisur në Qershor të 2018-ës dhe përfundimi i tij ka shkurtuar ndjeshëm distancën midis Maqedonisë së Veriut, Dibrës me Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit. . Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km.
Me një gjatësi rreth 74 km, ajo do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Hapja e këtij aksi pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të zonave që përshkon, në tregtinë si dhe n turizmin vendas. Ndërkohë një tjetër projekt ka nisur të marrë jetë në ditët “kuqezi”.
Bëhet fjalë për aeroportin e Vlorës, për ndërtimin e të cilit është zgjedhur bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction. Aeroporti i Vlorës, i cili pritet të hapë 1 mije vende pune, është parashikuar të përfundojë në vitin 2024 dhe të nisë fluturimet në vitin 2025. Një tjetër projekt tjetër i lançuar në ditët e festave ka qenë ai në fushën e arsimit. “Një gjuhë, një abetare”, ku ka nisur puna për hartimin e abetares unike. Duke nisur nga viti shkollor 2022-2023, teksti i abetares do të jetë nje për të gjithë nxënësit shqiptarë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.