Projekti për Portin e Durrësit – Gjiknuri: Këtë vit nis puna për thellimin dhe zgjerimin e portit
Projekti për thellimin dhe zgjerimin e Portit të Durrësit do të nisë gjatë këtij vitit. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një vizite me krybashkiakun Vangjush Dako në portin e Durrës.
“Jemi duke bërë një inspektim në Portin e Durrësit, duke parë se si funksionojnë kryesisht terminalet të cilat publiku e di që janë dhënë me koncesion, në disa raste të kritikueshme e nuk kemi pse ta fshehim. Jemi këtu pasi në Portin e Durrësit do të kemi dy zhvillime shumë interesante. Së pari, këtë vit do të fillojmë projektin e shumë pritur të thellimit të thellimit dhe zgjerimit të Portit që do të thotë se do ketë më shumë hapësirë për aktivitete”
Po ashtu, Gjiknuri shtoi më tej se është rritur interesimi për ta shndërruar Portin e Durrësit edhe një destinacion kroçerash.
“Nga ana tjetër kemi filluar diskutimet edhe për mundësinë që Porti i Durrësit të kthehet në një destinacion kroçerash mesdhetare. Do të thotë që për periudhën e sezonit, këtu të ketë nga një kroçerë çdo ditë çka do jetë një nxitje ekonomike për portin dhe gjithë qytetin e Durrësit.”
Ndërkohë, u shpreh se Autoriteti Portual ka aplikuar tek donatorët e bankat për sigurimin e financimeve për të mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të portit, i cili sipas tij do ti shërbejë edhe vendeve të tjera të rajonit.
“Autoriteti portual ka aplikuar edhe për financime në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ku është parë me shumë prioritet financimi. Jam i bindur se kombinimi i këtyre financimeve me interesin e shtuar kroçerave do të ketë një rritje ekonomike më të madhe për portin dhe gjithë qytetin. Porti përgjithësisht ka patur rritje ekonomike, pra janë shtuar volumet. Investimet në rrjetin rrugor apo edhe investimet që do të bëjmë në hekurudhë patjetër do ti rrisin interesin Portit të Durrësit dhe do të rritet konektiviteti ku porti nuk ka përse ti shërbejë vetëm Shqipërisë por edhe vendeve të tjera të rajonit.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.