Prokuroria zbardh kush nxori pagat nga Tatimet – Imeraj: 4 të arrestuar, të dhënat u morën nga dy IT dhe ju shitën përmbaruesve privatë
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin përmes të cilit nga serveri i tatimeve u nxorën të dhënat e pagave të mbi 630 mijë qytetarëve, ashtu si dhe 4 persona të dyshuar si përgjegjës për shpërndarjen e tyre.
Kreu i Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha se bëhet fjalë për dy specialistë IT pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët kanë patur akses në sistemin e dhënave. Ata I kanë shkarkuar këto të dhëna në formatin Excel dhe ua kanë kaluar dy personave të punësuar në sektorin privat.
Imeraj tha se e nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në sistem, por shpërdorim detyre nga ana e punonjësve që kanë pasur akses në të.
Imeraj tha se përmes hetimeve po përpiqet të konkludohet për qëllimin e nxjerrjes së të dhënave, të cilat u janë shitur dy personave nga specialistët e IT-së së tatimeve.
Prokuroria bën me dije se subject hetimesh është jo vetëm skandali i pagave, por edhe ai i patronazhistëve, të cilët gjithashtu zotëronin të dhëna sensitive të qytetarëve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.