Qeveria miraton Garancinë e dytë Sovrane/ 15 mld lekë në dispozicion të bizneseve për të plotësuar nevojat e shkaktuara nga kriza
Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar kryeministri Rama, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për garancinë e dytë sovrane në shumën 15 mld lekë që do të vihet në përdorim të bankave të nivelit të dytë.
Huamarrja kësaj radhe do të përdoret nga bizneset jo vetëm për të shlyer pagat e punonjësve, por edhe për të financuar investime të reja në aktivitetet e tyre si dhe për të siguruar kapital qarkullues.
Kryeministri gjithashtu ka miratuar edhe ngritjen e një strukture të posaçme ndërinstitucionale, e cila do të monitorojë, shqyrtojë dhe raportojë periodikisht pranë ministrit të Financave dhe Ekonomisë në lidhje me ecurinë e garancisë shtetërore, si dhe do të trajtojë çështje mbi mbarëvajtjen dhe unifikimin e zbatimit të parashikimeve të kësaj marrëveshjeje.
Ndërsa ‘Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 90 ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, nëse është e nevojshme, sipas raportit të strukturës së posaçme ndërinstitucionale, i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.’
Më poshtë ndodhet edhe lista e bankave, të cilave do t’i transferohen fondet:
-Raiffeisen Bank sh.a. Albania, deri në vlerën 2 600 000 000 lekë;
-Banka Tirana sh.a. deri në vlerën 850 000 000 lekë;
-Banka Union sh.a. deri në vlerën 800 000 000 lekë;
-Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. deri në vlerën 1 200 000 000 lekë;
-Banka Kombëtare Tregtare sh.a. deri në vlerën 2 550 000 000 lekë;
-Banka OTP Albania sh.a. deri në vlerën 1 450 000 000 lekë;
-Banka Procredit sh.a. deri në vlerën 600 000 000 lekë;
-Banka Alpha Albania sh.a. deri në vlerën 950 000 000 lekë;
-Banka Amerikane e Investimeve sh.a. deri në vlerën 650 000 000 lekë;
-Banka Credins sh.a. deri në vlerën 2 800 000 000 lekë;
-Banka e Bashkuar e Shqipërisë sh.a. deri në vlerën 150 000 000 lekë;
-Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a. deri në vlerën 400 000 000 lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.