Qiratë për tërmetin, shtyhen pagesat. Përfundon afati 1-vjeçar i Aktit Normativ 2019, Qeveria e zgjat në kohë të pacaktuar
Këshilli i Ministrave ka ndërhyrë në Aktin Normativ të dhjetorit 2019 për procedurat e miratimit të përshpejtuar të mbështetjes me qira për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, për të krijuar hapësirën që familjet të përfitojnë lehtësisht subvencionet deri në momentin e ndërtimit të banesës së re apo rikonstruksionit të tyre.
Përmes një Projektakti të depozituar tashmë në Kuvend, Këshilli i Ministrave kërkon të shkurtojë procedurat, afatet kohore dhe dokumentacionin, që duhet të plotësojnë familjet përfituese si dhe bashkitë për të përfituar mbështetje buxhetore pa asnjë pengesë.
Në relacionin shoqërues të projektaktit theksohet se një nismë e tillë bëhet për të shmangur disa pengesa që paraqesin nenet 35, 37 dhe 39 të ligjit numër 22 të vitit 2018 Për Strehimin Social.
Miratimi i këtij Akti është diktuar në kuadër të përfundimit të afatit 1 vjeçar të Aktit Normativ numër 8 datë 7.12.2019 të Këshillit të Ministrave për Përdorimin e Procedurave të Përshpejtuara për Subvencionimin e Pagesës së Qirasë së Banesës për Familjet e Mbetura pa Strehë si Pasojë e Fatkeqësisë Natyrore, në kushtet kur rindërtimi I banesave të dëmtuara nga tërmeti nuk është përfunduar ende.
“Në të njëjtën kohë, miratimi I këtij akti është domosdoshmëri, nisur nga situate aktuale e shkaktuar nga Covid 19, e cila vështirëson sigurimin e dokumentacionit sipas Ligjit për Strehimin Social”, shpjegon Këshilli I Ministrave në Relacionin shoqërues të Projektaktit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.