Rama flet për energjinë dhe ujin: “Në mandatin e 3-të, ujë 24 orë në 61 bashkitë e vendit”
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin që forca e tij politike ka për sektorët e rëndësishëm të ujit dhe të energjisë. Bashkë me drejtorët që mbulojnë këta sektorë strategjikë, Rama theksoi se në mandatin e tretë do ketë ujë 24 orë dhe rrjeti i energjisë do të jetë i modernizuar. Në fjalën e tij kryeministri nuk la pa përmendur edhe situatën që u trashëgua në 2013 me borxhe të mëdha të energjisë dhe me një situatë shumë të rënduar me ujin e pijshëm.
“Qeveria jonë ka miratuar vetëm gjatë mandatit të dytë 320 projekte në Këshillin Teknik të Agjencisë Kombëtare dhe vetëm në dy vitet e fundit janë hapur në rang vendi mbi 200 kantiere për veprat e ujësjellës- kanalizimeve, që do të sjellë 24 orë ujë, brenda këtij viti, në territore, komunitete, qendra urbane, që e ka pasur këtë një vuajtje dhe një lëngatë prej shumë dekadash.
Me rritjen e buxhetit për ujin në mandatin e tretë, me 40%, falë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe mbështetjes që kemi siguruar për këtë sektor jetik nga qeveria gjermane, ajo franceze e zviceriane, do të garantojë më në fund 100% ujë të pijshëm, 24 orë, në zonat urbane të 61 bashkive të vendit dhe uji pijshëm nuk do të jetë më një temë fushatash elektorale dhe përballjesh politike në fushatë.” – u shpreh kryeministri.
Ndërsa drejtori i KESH, OSHE dhe AKUK theksuan se sfidat në këto sektorë ende mbeten të mëdha, situata në këto sektorë ka një ndryshim shumë të madh.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.