Rama në Kuvend: Nuk ka mirëqenie, punësim, investime të huaja pa Vettingun
Reforma në drejtësi shihet nga mazhoranca si një mundësi për t’i hapur rrugë investimeve të huaja dhe për të rritur punësimin. Gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Edi Rama, tha se pa realizimin e plotë të kësaj reforme, nuk mund të ketë më shumë mirëqenie për qytetarët.
Rama zbuloi edhe një detaj duke thënë se Komisioni Europian ka filluar diskutimin e kapitujve të parë të negociatave me ministrinë e Integrimit, në mënyrë që Shqipëria të fitojë më shumë kohë.
Duke folur për besueshmërinë e ekonomisë shqiptare, Rama përmendi disa nga vlerësimet e fundit që janë bërë nga organizatat e botërore në këtë fushë.
Kryeministri Rama komentoi edhe vendimin e miratuar një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për rritjen e pensioneve, vendim i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin mars.
Rama iu përgjigj edhe akuzave që i janë bërë nga opozita për rritjen e taksave. Sipas tij, shteti ka 440 milionë dollarë më pak në arkë si pasojë e uljes së taksave, pa përfshirë rritjen e pagave ndaj punonjësve të policisë.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.