Raporti i OECD për Shqipërinë, reagon Ministria e Financave!
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ka përmirësuar notën e riskut të Shqipërisë, nga 6 që ishte më parë, në 5. Hera e fundit që Shqipëria ishte përmirësuar në nivelin e riskut nga OECD ka qenë viti i largët 2004. Vendi ynë rezulton të jetë kështu një ndër 4 vendet e vetme që janë përmirësuar, nga totali prej 201 shtetesh. Klasifikimi bëhet për vendet që janë pjesëmarrëse të marrëveshjes së vitit 1996 që shërben si garanci për investitorët.
Për më shumë lexo edhe:
OECD ul riskun e Shqipërisë – Nuk ndodhte që prej 2004, bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj
Ministria e Financave ka reaguar ndaj vlerësimit të OECD-së duke e cilësuar si një tjetër vlerësim për përpjekjet që po bëhen drejt konsolidimit fiskal.
“Përpjekjet e qeverisë shqiptare drejt konsolidimit fiskal dhe përmirësimit të klimës së biznesit vijojnë të vlerësohen pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare. Vetëm pak ditë pasi agjencia prestigjioze Standard and Poor’s konfirmoi vlerësimin B+ për Shqipërinë, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka përmirësuar vlerësimin e saj ndaj nivelit të riskut në Shqipëri. Përmirësimi i vlerësimit për Shqipërinë do të thotë se vendi ynë bëhet më tërheqës për investitorët e huaj.
Në raportin e saj më të fundit, OECD ka vlerësuar nivelin e riskut në Shqipëri me notën 5, nga 6 që ishte më parë. Në këtë mënyrë, Shqipëria rezulton një ndër 4 vendet e vetme që kanë shënuar përmirësim, në listën prej 201 shtetesh. Klasifikimi i vendeve behet mbi bazën e 7 kategorive të riskut, ku sa më e lartë nota, aq më i lartë rreziku” shkruhet në reagimin e Ministrisë së Financave.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.