Regjistrimi i akteve për marrjen e tokave në pronësi, procedurat që do ndiqen në 2018. Skema e subvencioneve për fermerët
Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi gjatë fjalës së tij në Parlament ka përsëritur edhe një herë procedurën që do të ndiqet për regjistrimin e titujve të pronësisë për tokat bujqësore, duke nisur nga vitit i ardhshëm.
“Hap i rëndësishëm që do të ndërmarrim lidhet me regjistrimin e titujve të pronësisë. Kemi ndërmarrë një reformë që jetësohet nga fillimi i vitit që vjen për të gjithë pronën dhe në veçanti për tokat bujqësore, ku regjistrim i AMTP-ve do të kryhet nga Agjencia e Regjistrimit të Titujve të Pronësisë, në këtë mënyrë do të shmanget mbivendosja dhe do të unifikohet harta. Por si të thuash kjo reformë ka nisur tashmë nga bashkitë dhe këto të fundit kanë marrë përsipër regjistrimin e AMTP-ve bashkë me topografët. E përsëris, nga fillimi i vitit të ardhshëm, regjistrimi AMTP-ve do të kryhet në mënyrë integrale nga Agjencia e Regjistrimit të Titujve të Pronësisë”, u shpreh ministri Peleshi.
Gjithashtu ministri foli edhe për masat që janë ndërmarrë për mbrojtjen e tokave dhe në veçanti nga përmbytjet, ku sipas tij janë vënë në dispozicion 239 mln lekë si shpenzime operative që do të përdoren për 270 km kanale kulluese që do të mbrojnë 50 mijë ha tokë.
Peleshi kujtoi edhe një herë skemat subvencionuese për fermerëve që grupohen dhe krijojnë ferma mbi 5 ha. “Në skemën tonë, nga fillimi i vitit që vjen për fermerët do ketë subvencione të posaçme nëse grupohen dhe krijojnë ferma mbi 5 ha”, u shpreh Peleshi.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.