Rehabilitohet psikiatria infantile – Shërbim për 1500 fëmijë me problem të shëndetit mendor
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inauguruar ambientet e reja të spitalit psikiatrik të fëmijëve.
Ky shërbim është unik për llojin e vet në Shqipëri dhe ofron shërbim të specializuar për mbi 1500 fëmijë me problem të shëndetit mendor.
“Kemi zgjedhur të jemi sot pranë fëmijëve me probleme të shëndetit mendor, për këtë investim të ri i cili ka shndërruar repartin e psikiatrisë infantile në një ambient miqësor me fëmijët. Dhe kjo është filozofia jonë, spitale miqësore jo vetëm në QSUT po kudo në Pediatritë në të gjithë Shqipërinë”, tha Ministrja Manastirliu.
Klinika e Psikiatrisë së Fëmijëve e Adoleshentëve është e vetmja strukturë me shtretër për këtë profil në vend, si ofruesja e shërbimeve terciare në psikiatrinë e moshave nën 18 vjeç.
Kjo klinikë ofron shërbime ambulatore, shërbime të Spitalit Ditor dhe shtrimet tipike afatshkurtra e afatmesme.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.