Rënie drastike në papunësinë e Eurozonës – Niveli më i ulët në 10 vite
Vlerësimet zyrtare treguan se papunësia në zonën e euros ra papritur në nivelin më të ulët prej më shumë se dhjetë vitesh.
Zyra e statistikave të BE, Eurostat tha se papunësia në bllokun monetar prej 19 vendesh ra në 7.9 për qind në nëntor, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2008 dhe shumë më poshtë parashikimeve të ekonomistëve për një normë prej 8.1 për qind.
Sipas Reuters, rënia u shkaktua pjesërisht nga një rënie e numrit të papunëve në Itali dhe Spanjë që ende kanë normat më të larta të papunësisë në zonën euro pas Greqisë. Papunësia ra në 14.7 për qind në Spanjë nga 14.8 për qind në tetor. Ajo zbriti në 10.5 për qind në Itali nga 10.6 për qind. Shifrat më të fundit në dispozicion për Greqinë tregojnë një normë prej 18.6 për qind në muajin shtator.
Norma e të papunëve në Gjermani dhe Francë, dy ekonomitë më të mëdha të zonës euro, mbetën të qëndrueshme respektivisht 3.3 për qind dhe 8.9 për qind. Në 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian, papunësia mbeti e qëndrueshme në 6.7 për qind në nëntor.
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.