Reshjet në vend, Ministria e Bujqësisë: Po monitorojmë situatën! Hidrovoret janë në gatishmëri
Në të gjithë territorin e vendit kanë nisur reshjet e shiut dhe deri më tani nuk shfaqet ndonjë situatë problematike. Në lidhje me situatën nga reshjet, Ministria e Bujqësisë ka dhënë informacion mbi situatën deri në orën 10:00.
“Aktualisht të gjithë hidrovoret janë në gatishmëri dhe që nga dita e djeshme janë futur në punë (me regjime të ndryshme) për të mbajtur nivele sa më të ulëta të ujit e për t’i paraprirë kështu përballimit të prurjeve të mëdha, që mund të krijohen nga reshjet intensive në orët në vijim”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas Ministrisë së Bujqësisë ekskavatorët e Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Fier, Durrës dhe Korçë po mbahen në gatishmëri për të mundësuar ndërhyrjet në rast të situatave emergjente.
“Stafet teknike të këtyre drejtorive po monitorojnë në terren situatën sidomos argjinaturat mbrojtëse të lumenjve. Gjithashtu janë mbajtur kontakte me OSHEE për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të hidrovoreve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.