Rezultati i Daimler – E-class rrit të ardhurat, kërcënojnë akuzat e rregullatorëve
Shitjet e mëdha të makinave të reja Mercedes-benz kanë rritur fitimin operativ për tremujor të kompanisë gjermane Daimler me 15%, poshtë projeksioneve të analistëve, në një kohë të akuzave se prodhuesit gjermanë janë përfshirë në një sjellje anti-konkurruese.
Të ardhurat përpara interesave dhe tatimit (EBIT) u rritën në 3.74 miliardë euro në tremujorin e dytë, poshtë projeksioneve prej 3.81 miliardë euro. Kompania ka shitur 595,200 automjete Mercedes-Benz, falë rritjes me 28% të kërkesës nga Kina. Marzhet janë përmirësuar kryesisht prej shitjeve të modelit të ri E-class. Kompania me seli në Stuttgart, rriti projeksionet për njësinë e kamionëve dhe furgonëve.
Aktualisht, fokusi qëndron te hetimi i Bashkimit Europian dhe rregullatorët e konkurrencës në Gjermani, mbi mundësinë e takimeve mes Daimler, BMW, VW, Porsche dhe Audi, për të diskutuar furnitorët, çmimet dhe disavantazhet e prodhuesve të huaj të makinave.
Revista gjermane, Der Spiegel, raportoi të premten e kaluar se prodhuesit gjermanë janë bashkuar për të fiksuar çmimet e sistemeve të trajtimit të gazrave ndotës. Kompanitë kanë thyer rregullat e kartelit të Bashkimit Europian dhe përballen me gjoba që arrijnë në rreth 10% të të ardhurave globale të tyre. Bordet mbikëqyrëse të Daimler dhe Volkswagen do të takohen këtë javë për të diskutuar çështjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.