Rikonstruksioni i 80 qendrave shëndetësore – Manastirliu: 480 mijë qytetarë do të kenë kushte bashkëkohore
Rreth 480 mijë qytetarë do të kenë kushte bashkëkohore në shërbimin shëndetësor parësor falë rikonstruksionit të 80 qendrave shëndetësore. Këto të fundit janë parashikuar të përfundojnë brenda këtij vitit. Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes rehabilitimet të tyre krahas kushteve më të mira, bëhet e mundur po ashtu edhe ofrimi i shërbimeve të integruara.
“Sjellim jo vetëm kushte më të mira të infrastrukturës por edhe shërbime të integruara, duke filluar nga kontrolli mjekësor bazë, duke vijuar me konsultorin e nënës dhe fëmijës dhe të gjitha shërbimet bazë, të cilat do të ofrohen pa burokraci për qytetarët, me përdorimin e recetës elektronike, tashmë nga çdo mjek familje, në çdo qendër shëndetësore në vend”, u shpreh Manastirliu.
Më tej, Manastirliu u ndal edhe te sistemi i meritokracisë, i vendosur me ‘Infermierë për Shqipërinë’. Sipas saj, kjo platformë transparente bën të mundur që sistemi shëndetësor të ketë pjesë përbërëse punonjësit më të mirë.
Rikonstruksioni i qendrave shëndetësore dhe ambulancave brenda këtij viti është pjesë e programit kombëtar të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite, i cili do të transformojë kujdesin shëndetësor parësor nga veriu në jug të vendit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.