Rishikohen çmimet për energjinë e diellit dhe erës – ERE nis procedurat edhe për caktimin e çmimit për energjinë e prodhuar nga mbetjet
Zhvillimet e fundit në tregun e prodhimit të energjisë nga dielli, era, por edhe nga mbetjet duket se kanë detyruar Entin Rregullator të Energjisë të nisë procedurat për rishikimin e çmimit të blerjes së energjisë së prodhuar nga impiantet e vegjël.
Në vendim, ERE saktëson se ka kërkuar informacion lidhur me subjektet për të cilat kjo e fundit ka lëshuar autorizimin paraprak dhe miratimin përfundimtar për ndërtimin e veprave për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të vogla të rinovueshme nga dielli dhe era; si dhe gjeneratorët e vegjël me burim të rinovueshëm nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale.
Ky informacion do të shërbejë për vlerësimin dhe shqyrtimin e të dhënave të nevojshme për llogaritjen e çmimeve për teknologjitë në fjalë, mbështetur në përcaktimet e legjislacionit ne fuqi. Aktualisht çmimi për impiantet e prodhimit të energjisë nga impiantet fotovoltaike, me fuqi të instaluar deri në 2 MW është 100 euro/mwh, një vlerë që nxiti shumë investitorë t’i hedhin sytë nga prodhimi i energjisë elektrike nga dielli.
Ndërkohë që, çmimi i blerjes së energjisë nga impiantet eolike me fuqi të instaluar deri në 3 MW është 75.64 euro/mWh, nga 76 euro/mWh që u vendos fillimisht. Sa i takon gjenerimit të energjisë elektrike nga mbetjet, deri më tani ERE nuk ka përcaktuar një çmim.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.