2020, rekord sekuestrosh nga Tatimet – 31,800 barra hipotekore dhe siguruese bizneseve debitore, nga 24 mijë në vitin 2019
Viti 2020 ka shënuar një shifër record biznesesh të cilave u janë vënë nën sekuestro pasuritë nga ana e Administratës Tatimore për shkak të debive të papaguara. Ndërsa viti 2019 u mbyll me rreth 24 mijë barra hipotekorë ndaj subjekteve debitore, ky numër ka kërcyer në rreth 32 mijë gjatë vitit që sapo lamë pas, me listën që është shtuar me rreth 8 mijë subjekte.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve, në fund të vitit që sapo u mbyll rezultojnë 31,849 biznese nën regjimin e bllokimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme.
Ajo ka bërë publike listën 31,849 tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre. Një prej shkaqeve kryesore të rritjes së numrit të debitorve të vënë nën sekuestro është situate e vështirë ekonomike e shkaktuar nga Pandemia Covid 19.
Vendosja e barrës siguruese apo hipotekore është një prej formave të mbledhjes me forcë të borxhit nga ana e administratës tatimore. Bizneset e publikuar në listën e Tatimeve nuk mund të kryejnë asnjë transaksion më pasuritë e tyre deri në shlyerjen e detyrimit tatimor.
Vetë Administrata Tatimore sqaron se publikimi i listës bëhet në mënyrë që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.