Roli i biznesit në vendimmarrje – Këshilli Ekonomik Kombëtar kalon nga Ahmetaj te Qato
Sipërmarrja ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe për këtë duhet të jetë pjesë e politikave dhe vendimmarrjes së tyre. Qeveria për ta bërë sa më përfshirës këtë komunitet ka ndërmarrë një nismë për “spostimin” e strukturës së Këshillit Ekonomik Kombëtar nga Ministria e Ekonomisë tek ajo për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Gjithashtu sekretariati teknik i tij do të ketë më shumë funksione dhe do jetë më afër propozimeve të biznesit.
Kështu u shpreh Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, gjatë prezantimit të këtij ndryshimi ligjor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
“Struktura dhe ndryshimi i dytë të cilin neve propozojmë është Struktura Organizative e Sekretariatit Teknik, i cili me përmbajtjen e ligjit të mëparshëm e rregulluar në mënyrë të tillë që nuk mbuloheshe nga një fond buxhetor nga buxheti i shtetit. Ndërsa tani, për ta bërë Sekretariatin Teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar një sekretariat i cili të punojë çdo ditë në funksion të këtij këshilli në përmbushje të misionit dhe të përgjegjësive të përcaktuara në ligjin për Këshillin Ekonomik Kombëtar si një organ buxhetor pranë Këshillit të Ministrave me një strukturë, e cila do propozohet nga ana e kryeministrit.”
Por kjo është kundërshtuar nga Deputetja e PD, Jorida Tabaku, sipas së cilës, ky organizëm nuk ndërmerr politika ekonomike zhvillimore dhe fiskale në interes të biznesit, por në interes të klientelizmit.
“Si çdo gjë në Republikën e Shqipërisë, duke filluar që nga Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm dhe deri te Këshilli Kombëtar Ekonomik varet nga Kryeministri. Dhe kjo është një praktikë së pari korruptive, së dyti e pa tolerueshme dhe së treti ka rezultuar dhe ka prodhuar politika fiskale të cilat kanë qenë klienteliste. Dhomat e Tregtisë të cilat erdhën këtu në Komisionin e Ekonomisë për të paraqitur propozimet e tyre në lidhje me buxhetin dhe paketën fiskale, shprehën këtë shqetësim, së pari. Këshilli Ekonomik Kombëtar është totalisht jashtë funksioni sepse asgjë, asnjë propozim i tyre dhe asnjë kërkesë e tyre nuk merret parasysh.”
Në projektligjin e paraqitur nga qeveria synohet që sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar të vihet në varësi dhe në funksion të fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ndërkohë ndryshimet e propozuara nuk mbartin efekte financiare për buxhetin e shtetit, përveç efekteve financiare për pagat e personelit të sekretariatit teknik.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.