Rreziku i varfërisë në BE – Shihet trend rënës, por qëndron ende në 23.4% të popullsisë
Në Bashkimin Europian, 117.5 milionë njerëz apo 23.4% e popullsisë gjendeshin në rrezikun e varfërisë apo përjashtimit social për vitin 2016.
Kjo tregon se ata ndodheshin në rrezikun e varfërisë pas transfertave sociale, quajtur varfëria prej të ardhurave, të privuar nga ana materiale apo duke jetuar në familje me intensitet shumë të ulët të punës.
Pas 3 viteve radhazi të rritjes nga 2010-2012, ku arriti në rreth 25%, përqindja e personave në rrezik të varfërisë apo përjashtimit social në Bashkimin Europian ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur në 23.4% vitin e kaluar, që është vetëm 0.1% sipër nivelit të para-krizës.
Reduktimi i numrit të personave që përballen me rrezikun e varfërisë, është një prej objektivave kryesorë të strategjisë 10-vjeçare “Europa 2020”.
Ndër vendet anëtare të unionit, rreziku më i lartë i varfërisë kanosej në Bullgari, me rreth 40.4% të popullsisë, ndjekur nga Rumania e Greqia, me 38.8 dhe 35.6% në mënyrë respektive.
Nga ana tjetër, vendet me më pak persona në rrezik të varfërisë ishin Republika Çeke me normën më të ulët në 13.3%, ndjekur nga Finlanda dhe Danimarka, respektivisht me 13.3% dhe 16.6%.
Rritje të madhe të personave në rrezikun e varfërisë ka patur në Greqi, ku nga viti 2008, norma është rritur me 7.5% në një total prej 35.6% të popullsisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.