Rreziku nga koronavirusi/ Manastirliu raporton në Kuvend: Vend me risk të moderuar për rastet e importuara
Shqipëria kategorizohet si vend me risk të ulët për rastet e prekur nga koronavirusi në Kinë, por me risk të moderuar sa i takon rasteve të importuara, që janë ato të konfirmuar në vende të tjerë, kryesisht në Evropë.
Gjithçka është bërë me dije nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një interpelance të kërkuar nga deputeti Taulant Balla, i cili kërkoi informacion mbi menaxhimin e situatës pas shpalljes së emergjencës ndërkombëtare nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Manastirliu tha se situata në Shqipëri po menaxhohet nga task-forca që ka në përbërjë 24 ekspertë, ndërkohë që raportoi masat e marra në pikat kufitare, me qëllim parandalimin e depërtimit të personave të infektruar. Po ashtu, ajo tha se Instituti i Shëndetit Publik ka trajtuar 100 punonjës të strukturave shëndetësore për menaxhimin e rasteve të mundshme. Ndërkaq, paralelisht me masat e marra në pikat kufitare, janë forcuar edhe kapacitetet laboratorike.
Manastirliu ripërsëriti apelin për të mos udhëtuar drejt Kinës nëse nuk është e domosdoshme, si dhe mbajtjen e higjienës personale si një prej rekomandimeve kryesore të mjekëve për të parandaluar infektimin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.