Rritet besimi në ekonomi – TNE përmirësohet me kalimin e zgjedhjeve
Treguesi i ndjesisë ekonomike u përmirësua me 1.8 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ekonomia e ka tejkaluar pasigurinë e tremujorit të mëparshëm, që përkoi me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Rritja erdhi nga përmirësim i besimit të bizneseve të tregtisë, ndërtimit dhe besimit të konsumatorëve. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit vijoi të shënojë rritje për të tretin tremujor radhazi, me 7.2 pikë përqindje. Rritja erdhi nga zgjerimi njëkohësisht i aktivitetit ndërtues dhe shtimi i numrit të kontratave porositëse.
Edhe treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 7.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë. Sipërmarrjet tregtare shprehën vlerësime më të larta për ecurinë e biznesit dhe pritshmëritë për punësimin në tremujorin e ardhshëm. Treguesi i besimit konsumator vazhdoi të rritet edhe gjatë tremujorit të tretë, me 1.3 pikë përqindje. Individët kanë deklaruar rritje të blerjeve në shuma të mëdha, si edhe një situatë më të mirë të bilancave të tyre familjare.
Ndërkohë, nivelet e treguesve të besimit në shërbime dhe në industri rezultuan lehtësisht më të ulëta krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Treguesi i besimit në sektorin e industrisë shënoi rënie 1 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë. Kjo rënie u përcaktua nga shtimi i inventarëve dhe keqësimi i lehtë i prodhimit.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë, me 2.2 pikë përqindje. Të dy përbërësit kryesorë të indeksit shënuan rënie, me përkatësisht 2.3 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit dhe me 2 pikë përqindje balanca e kërkesës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.