Rritet rreziku i Brexit pa marrëveshje – Bashkimi Europian refuzon kërkesat e Boris Johnson
Sfida me të cilën përballet Boris Johnson për të zhbllokuar krizën politike në Britani mori një goditje që të ditët e para të tij si kryeministër, pasi Bashkimi Europian refuzoi menjëherë kërkesat e tij për një marrëveshje më të mirë të Brexit.
Johnson i kërkoi Presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, një ndryshim të marrëveshjes së daljes nga unioni, në mënyrë që të kalojë në parlament, gjatë një bisede telefonike që zhvilluan të enjten. Por, sipas zyrës së kryeministrit britanik, Juncker ishte përgjigjur duke thënë se ajo është marrëveshja më e mirë e mundshme. Nëse asnjëra palë nuk tërhiqet, Britania do të braktisë Bashkimin Europian më 31 tetor, pa asnjë marrëveshje për të siguruar një tregti të qetë ndërkufitare dhe tregje të rregullta.
Kjo mund të shkaktojë vonesa në porte, mungesë të furnizimeve bazë, përfshirë ilaçet, vështirësi në transaksionet e të gjitha llojeve dhe një recesion. Përpara telefonatës me Juncker, Johnson përdori fjalimin e parë në parlament si kryeministër për tu zotuar për përgatitje të menjëhershme për një Brexit pa marrëveshje. Analistët mendojnë se Johnson ka zgjedhur linjën më të vështirë të mundshme me Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij në parlament, Johnson tha se Brukseli duhet të rimendojë refuzimin e fundit, në mënyrë që ti hapë rrugën bisedimeve për të ndryshuar marrëveshjen e arritur me Theresa May, e cila u refuzua tre herë nga parlamenti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.