Rritja e fortë e infektimeve/ Kosova rikthen orën policore, mbyll restorantet. Lejon privatët për analiza dhe bën porosi për vaksinën ende të paprodhuar
Kosova i është rikthyer masave shtrënguese që kanë si synim frenimin e përhapjes së virusit COVID-19. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar masat e reja administrative që parashikojnë që në qytetet ku ka një numër të lartë personash të infektuar do të kufizohet lëvizja nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit; pra rikthehet ora policore.
“Në qytetet ku ka numër te madh do të kufizohet plotësisht lëvizja. Nga Sonte në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri. Do te kufizojmë plotësisht lëvizjen nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Do të përcjellim pastaj lëvizjet e numrave me infektime”, ka thënë Hoti, raporton Express.
Ai ka thënë se gjithashtu do të reduktohen oraret dhe turnet e punonjësve të institucioneve dhe do të punohet vetëm me stafin e domosdoshëm. Po ashtu, do të mbyllen restorantet në orën 21:00 të mbrëmjes, me përjashtim të atyre që bëjnë dërgesa ose që kanë shërbimin e marrjes së ushqimit me vete.
Gjithashtu ka treguar se edhe numri i njerëzve që do të shfrytëzojnë trafikun urban do të përgjysmohet.
Në listën e masaver, Hoti tha se do të shtohen kapacitetet për të rritur ndjershëm numrin e testimeve. Krahas shtimit të kapaciteve spitalore për të bërë testime, Hoti tha se javën e ardhshme do të licencohen edhe institucione private që do të bëjnë analiza virologjike. Ndërkohë, do të blihen 100 mijë teste. Sipas RTK-së, Hoti ka deklaruar se do të punohet për të blerë 20 mijë doza vaksinë Covid kurdo që ajo është e gatshme.
Këto masa vijnë në një kohë kur në Kosovë ka ndryshuar qeveria dhe kur është konstatuar një rritje e fortë e numrit të infektimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.