Sa biznese aktive ka në Tiranë? 6-mujori, 112 mijë biznese, mbi 9 mijë më shumë se 2017-ta
Rreth 10 mijë subjekte aktive kryesore dhe sekondare më shumë, ushtrojnë veprimtarinë në kryeqytet për periudhën Janar-Qershor 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV), gjatë gjysmës së parë të vitit regjistrohen 112.410 subjekte kryesore dhe dytësore që ushtojnë aktivitet në Tiranë. Nga të cilat 93.241 janë biznese kryesore dhe 19.169 janë biznese dytësore, pra që i disponojnë individë që kanë një sipërmarrje tjetër. Pjesa më e madhe, rreth 47.580 janë biznese të vogla, ndërsa pjesa tjetër janë biznese të mëdha, vip dhe të përfshira tek kategoria të tjerë.
Ndërsa po të shikojmë periudhën Janar-Qershor 2017, janë në total 102.915 subjekte aktive kryesore dhe sekondare, çka do të thotë që gjatë 2018 kryeqytetit i janë shtuar konkretisht 9495 biznese. Pjesa më e madhe e këtyre njësive operojnë në dy fusha kryesore, “shitje me pakicë” dhe “njësi shërbimi”, ndërsa numrin më të vogël e zënë ambulantët me vetëm 131 subjekte.
Sa i përket bizneseve të reja të hapura gjatë gjysmës së parë të vitit, regjistrohen mbi 4 mijë subjekte ndërsa janë mbyllur dy mijë të tjerë.
Subjekte aktive kryesore dhe sekondare
- Vitit 2017 102.915 subjekte
- Viti 2018 112.410 subjekte
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.