Sa “rëndon” një pensionist? – Raporti/ Jetesa shtrenjtohet, pensionet “ngecin”
Ndërsa çmimet dhe kostot e jetesës shtrenjtohen nga dita në ditë, masa e pensioneve urbane dhe rurale të pleqërisë nuk ecën parallel, pasi regjistron një rritje thuajse të pandjeshme nga viti në vit.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar mujor i një pensionisti në zonat urbane është në vlerën e 15.875 lekëve dhe të ardhurat mesatare mujore, ku përfshihen edhe kompensimet, arrijnë në 17.295 lekë. Edhe pse ka ardhur në rritje, duke e parë për një periudhë të gjatë kohe, nga viti 2012 dhe deri më tani, rritja graduale e pensionit mesatar për këtë kategori ka qenë në masën rreth 2500 lekëve.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe për pensionet rurale. Aktualisht të ardhurat mujore mesatare për pensionistët në zonat rurale regjistrohen në vlerën e 8792 lekëve dhe të ardhurat mesatare mujore 9357 lekë, të cilat regjistrohen në rënie lekë. Rritja graduale në 7 vjet regjistrohet në më pak se 2 mijë lekë. Numri i pensioneve urbane të pleqërisë për vitin 2018 ka arritur në 398,744 ndërsa numri i pensioneve rurale të pleqërisë, në 113,763.
Referuar të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për vitin 2018 janë lidhur në total 14,449 pensione të reja pleqërie.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.