“Safari Central “, loja “Pokemon Go” e bazuar mbi lëvizjet e kafshëve reale
Parqet kombëtare dhe studiuesit e botës së kafshëve varen shumë nga të dhënat e GPS-it për të kuptuar më mirë nevojat për resurse dhe sjelljen e tyre në natyrë.
Tanimë, këto të dhëna do të shkojnë edhe në një lojë celulari ku lojtarët gjurmojnë kafshët nga qyteti i tyre, bazuar tek të dhënat e tyre natyrale. Në lojën “Safari Central”, e cila do të ofrojë realitet të zmadhuar ashtu si Pokemon Go, lojtarët do të ndjekin kafshë të vërteta si elefantë, lemurë, rinocerontë, leopardë, etj.
“Mendojeni si Pokemon Go, por ku kafshët janë të vërteta dhe lëvizin në qytet sipas lëvizjeve të tyre aktuale, jo ku u themi ne të shkojmë”, thotë Gautam Shah, krijuesi i start-up-it të bazuar në SHBA dhe Kenia, i cili po zhvillon lojën.
Aktualisht loja është në një fazë mbledhjeje fondesh dhe shpreson të mbështetet nga mjaftueshëm njerëz për të krijuar në realitet të zmadhuar edhe 8 kafshë të tjera.
Fitimet e lojës premtohet të shkojnë tek organizatat e ndryshme që merren me të drejtat e kafshëve, ndërsa vetë loja pritet të jetë gati e plotë verën e ardhshme. Megjithatë për mbështetësit, kompania premton një akses më të hershëm.
Karakteristikat e veçanta të çdo kafshë do të ruhen në lojë, çka do të thotë se disa do të jenë më të lehta e disa më të vështira për t’u gjendur. Milingonangrënësit, të cilët nuk largohen shumë, mund të jenë nga kafshët që do të hasen çdo ditë, ndërsa shpendët që udhëtojnë në distanca të largëta dhe ndalen shumë pak, do të jenë të rrallë.
Loja do të përfshijë edhe një veçori tjetër, atë të lidhjes me kafshën. Sa më shumë kohë të qëndrojnë pranë tyre, apo sa më shumë kafshë të ngjashme të shohin, aq më shumë veçori do t’i shtohen lojës, si: më shumë të dhëna, akses tek ekspertët e jetës së egër dhe lojë e personalizuar për lagjen e banimit.
Nëse loja do të arrijë të jetë popullore sa gjysma e “Pokemon Go”, atëherë do të mund të sjellë 1 milion dollarë fitime në ditë, të cilat mund të përdoren për të shpëtuar më shumë kafshë në rrezik zhdukjeje.
SCAN
“Pokemon Go” mbush 1 vit – Arritjet e lojës popullore në 365 ditë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.