“Santander” absorbon “Popular” – BQE parashikoi dështimin, nuk ndikohet publiku
Banka më e madhe në Spanjë, Santander, lajmëroi se do të blejë rivalin në vështirësi Banco Popular, për një vlerë nominale prej 1 euro, pasi autoritetet europiane vlerësuan se huadhënësi është në prag të dështimit.
Santander do të ndërmarrë një rritje të kapitalit prej rreth 7 miliardë euro, për të mbuluar kapitalin dhe provigjonet që duhen për të nxitur financat e Popular.
Kjo vjen pas një tërheqje të depozitave, që përkeqësoi problemet e financimit të bankës dhe që solli në fund shitjen e institucionit.
Aksionerët e Banco Popular dhe disa prej kreditorëve të bankës do të përballen me humbje. Bordi i Rezolutës së Përbashkët (SRB), agjencia e BE që merret me ristrukturimin e huadhënësve, deklaroi se “vendimi është marrë për të mbrojtur depozituesit dhe funksionet kritike të Banco Popular”.
Banka Qendrore Europiane theksoi se një përkeqësim i ndjeshëm i pozitës së likuiditetit të bankës në ditët e fundit, do të sillte në të ardhmen e afërt paaftësinë për të shlyer borxhet dhe detyrimet e tjera.
Ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis De Guindos tha se blerja e Santander është diçka pozitive për Popular duke marrë parasysh situatën e kohëve të fundit dhe se nuk do të ketë ndikim në burimet publike.
Kryetarja e bordit e Santander, Ana Botin tha se kombinimi i huadhënësve do të fuqizojë kapacitetin gjeografik. “Ne do të mirëpresim klientët e Banco Popular”, tha ajo.
Me një peshë prej 37 miliardë euro të aktiveve në prona me problem, të bartura që prej krizës financiare, Popular ka rënë në vlerë tregu me më shumë se 50%.
Santander, që nuk ka absorbuar asnjë huadhënës me vështirësi gjatë krizës bankare në Spanjë, deklaroi se blerja e Popular do të përshpejtojë rritjen dhe gjenerimin e fitimeve nga 2019-a e tutje. Santander bëri të ditur se do të mundësojë 7.9 miliardë euro për të mbuluar aktivet me problem pas blerjes.
Raporti i kredive me problem (NPL ratio) i Banco Popular është 3 herë më i lartë se mesatarja e rivalëve spanjollë. Popular ka patur prej kohësh një nga portofolet më të forta të kredive të sipërmarrjeve të vogla e të mesme, gjë që do të shtojë pjesën e tregut të Santander.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.