SCAN zbardh projekt-buxhetin 2018! Detajet e draftit që do t’i kalojë Kuvendit për diskutim
Projektligji i buxhetit të shtetit për vitin 2018 tashmë është miratuar në qeveri dhe ka kaluar në Kuvend për diskutime në komisionet parlamentare.
SCAN ka arritur të sigurojë këtë draft. Sipas këtij drafti, të ardhurat në buxhet për vitin e ardhshëm janë parashikuar në vlerën 464.2 miliardë lekë, ose 28.1% të PBB, ku peshën kryesore të tyre do e mbajnë te ardhurat nga tatimet dhe doganat me 317.1 miliardë lekë.
Më pas renditen të ardhurat nga fondet speciale me 83.4 miliardë lekë, të ardhurat jo tatimore me 25.7 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga pushteti vendor janë planifikuar në masën 18.7 miliardë lekë.
Po sipas këtij drafti shpenzimet buxhetore për vitin e ardhshëm janë parashikuar në masën 496.6 miliardë lekë, ose 30.1 % e PBB. Edhe në këtë vit pjesën “ e luanit” e zënë shpenzimet korrente me 407.8 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerën 86.1 miliardë lekë ose 5.2 % e PBB. I gjithë viti buxhetor është parashikuar të shoqërohet nga një deficit prej 32.3 miliardë lekë, ose 2 % e PBB.
Violeta Shqalsi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.