SHBA, qeveria vijon e mbyllur – Dita e 13-të, Shtëpia e Bardhë refuzon propozimin e demokratëve
Ky vit i ri i ka gjetur amerikanët me një qeveri të mbyllur. Vendi ka hyrë në ditën e 13-të pa një buxhet funksional, si pasojë e përplasjeve të Donald Trump me legjislativin, rrjedhojë e mosdakordësive për të ndërtuar murin me Meksikën, ashtu siç pretendon presidenti amerikan.
Kërkesa e presidentit për 5 miliardë dollarë shtesë për të ndërtuar murin ka hasur kundërshtinë e senatit, gjë që ka bërë që presidenti të nxisë një mbyllje të qeverisë, në shenjë presioni.
Pasiguria tashmë ka përfshirë vendin. Shqetësimi duket jo vetëm mes njerëzve të thjeshtë por edhe mes turistëve në Washington D.C.
“Unë vij nga Alabama, fluturova deri këtu, për të parë asgjë”, deklaron dikush. Demokratët që udhëheqin dhomën e ulët të parlamentit pritet të kalojnë një paketë emergjence për të nxitur hapjen e qeverisë, por gjasat që republikanët që kontrollojnë senatin, ta kalojnë këtë, janë mjaft të vogla.
Shtëpia e Bardhë e ka refuzuar propozimin e demokratëve, pasi kjo paketë nuk e përmban propozimin e Donald Trump për të ndërtuar murin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.