Shifrat e standardeve – DPS: Në dy muaj 379, mbizotërojnë ato europiane
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit bëri me dije se vetëm për muajin Shkurt dhe Mars janë adoptuar 379 standarde shqiptare dhe dokumente shqiptare standardizimi.
Nga totali, peshën më të madhe prej 313 e zënë standardet europiane të lëshuara nga Komiteti Europian për Standartizimin, ndërkohë që 66 të tjera janë ndërkombëtare të njohura si ISO dhe IEC.
Të gjitha këto standarde janë tashmë të gatshme për t’u adoptuar nga bizneset e interesuara që duan që të rrisin vlerën e produkteve të tyre.
Procesi për marrjen e një standardi të ri është i thjeshtë duke aplikuar online pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit ose duke blerë në mënyrë elektronike standardin për të cilin biznesi interesohet.
Paralelisht me adoptimin e standardeve të reja për periudhën janar-mars janë kryer edhe procedurat e shfuqizimit të standardeve të vjetra. Të tilla janë 126 standarde dhe 6 dokumente standardizimi.
Mungesa e informacionit në shumë raste bën që biznesi shqiptar të ketë mangësi në standarde duke sjellë si pasojë një vlerësim më pak konkurrues të produktit apo shërbimit që ofrohet.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.