Shitjet e biznesit – Rritje e dobët në tremujorin IV 2017
Indeksi i shitjeve të biznesit u rrit në përmasa zhgënjyese në tremujorin e katërt 2017, duke konfirmuar një tendencë ngadalësimi të ekonomisë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017. Sipas Institutit të Statistikave, në sektorin prodhues, indeksi i shitjeve u rrit me vetëm 1.5%, duke ngadalësuar më tej nga rritja 2.2% e tremujorit të mëparshëm. Pasi u mbështet nga rritja e përgjithshme e shpenzimeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, që përkoi me zgjedhjet, gjysma e dytë e vitit ka sjellë ngadalësim të ndjeshëm.
Një ndikim domethënës ka pasur ecuria e dobët e industrisë nxjerrëse, ku shitjet ranë me 7.7% krahasuar me një vit më parë. Kjo sinjalizon një ecuri të dobët të shitjeve në sektorin minerar dhe sidomos të naftës bruto. Ndërkohë, industria përpunuese raportoi një rritje të shitjeve me 5.2%.
Në ndarjen sipas grupimeve industriale, bie në sy një rënie e ndjeshme e shitjeve të mallrave të konsumit, ndërsa rezultat pozitiv kanë pasur shitjet për mallrat kapitale, të klasifikuara si investime dhe për energjinë.
Sektori që vazhdon të ketë ritmet më të larta të rritjes është ndërtimi, por, megjithatë, edhe në këtë sektor ritmet e rritjes janë në ngadalësim të dukshëm. Në tremujorin e katërt, shitjet në këtë sektor u zgjeruan me 7.5%, por edhe këtu rritje është larg niveleve dyshifrore në tremujorët e mëparshëm.
Një tendencë dobësimi shfaqën edhe shumica e degëve kryesore të shërbimeve, duke filluar nga tregtia, ku shitjet me bazë vjetore u rritën vetëm me 1%. Rritjen më të lartë edhe në tremujorin e fundit e regjistruan aktivitetet e shërbimeve të lidhura me turizmin. Aktiviteti i agjencive të udhëtimit raportoi një rritje vjetore të shitjeve me 5.8%, ndërsa ai i hotelerisë me 6.5%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.