Shpenzimet për aeroportin e Vlorës – Tender i përshpejtuar 20 mln lekë për konsulencë ligjore e financiare
20 milion lekë do të kushtojë kontraktimi i një kompanie, e cila do të ofrojë këshillim ligjor, financiar dhe teknik për negociatat dhe lidhjen e kontratës për Aeroportin e Vlorës me 3 kompanitë turke, që kanë shfaqur interes për këtë vepër infrastrukturore.
Këshilli i Ministrave, përmes një vendimi me datë 21 mars, autorizon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për ngritjen e një komisioni të përbërë nga 3 vetë, i cili ngarkohet për të kryer procedurën e përzgjedhjes së kompanisë së konsulencës.
Procedura e prokurimit do të jetë e veçantë dhe e përshpejtuar, duke parashikuar që ajo të mbyllet brenda 7 ditësh nga dërgimi i ftesës.
Ndërkaq, sipas vendimit të qeverisë, në rast se negociatat me shoqëritë “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction rezultojnë të suksesshme, duke u finalizuar me nënshkrimin e një kontratë atëherë shpenzimet e konsulencës do të paguhen nga kompanitë turke.
Ndërkohë që, në rast të kundërt këto shpenzime do të duhet të përballohen nga buxheti i shtetit.
Ligji që përcakton procedurën e veçantë që do të ndiqet për negociatat e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës ka hyrë në fuqi në datën 15 mars, çka i ka hapur rrugën nisjes së diskutimeve mes shtetit shqiptar dhe 3 kompanitë turke, që kanë paraqitur interes për këtë investim.
Diskutimet mund të nisin brenda 45 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa objekti i tyre do të jetë projektimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i këtij aeroporti, i cili planifikohet të ndërtohet në zonën e Akërnisë.
Detajet për këtë investim nuk janë bërë publike nga institucionet shtetërore, por paraprakisht është deklaruar se shteti shqiptar do të mbajë vetëm e riskun e kërkesës, që lidhet me numrin e pasagjerëve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.