Shpërdorimi i të dhënave personale – 10 mln lekë gjoba për subjektet abuzuese
Rreth 10 milion lekë gjoba janë vendosur ndaj subjekteve private dhe publike që kanë abuzuar me të dhënat personale të individëve gjatë vitit 2017. I ftuar në studion e TV SCAN, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi ka theksuar se ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit nga ana e qytetarëve, e reflektuar në rritjen e numrit të ankesave, që për vitin që lamë pas, numri i tyre ka arritur në 205.
“Ne kryesisht kemi ndjekur një politikë le të themi ndërgjegjësuese, që edhe gjoba të shërbejë për ndërgjegjësimin e subjektit. Interesi jonë është që të respektohen rregullat dhe parimet e mbrojtjes së të dhënave dhe jo të sanksionojmë qoftë kontrolluesit publikë, qoftë ata privatë. Shumica e gjobave janë në shifra modeste, por ka pasur edhe gjoba të nivelit të lartë aty ku ka pasur shkelje të cilat nga ana jonë janë vlerësuar si të rënda. Si vlerë totale e gjobës shkojnë rreth 10 milionë lekë të reja”, tha Dervishi.
Pjesa më e madhe e ankesave ka të bëjë me ushtrimin e të drejtës për akses të subjekteve për fshirje të të dhënave personale, vendosjen e kamerave në ambiente publike, marketingun e drejtpërdrejtë në lidhje me komunikimet e pakërkuara, nëpërmjet telefonit ose postës elektronike, etj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.