Shqipëria kryeson në lirinë e mendimit – Raporti, ndër vendet e para në botë dhe Europë, më mirë se Danimarka
Kur bëhet fjalë për lirinë e mendimit, Shqipëria është ndër vendet e para në botë dhe në Europë, thotë raporti më i fundit i lirisë së mendimit, që publikohet çdo vit. Në këtë renditje globale Shqipëria rezulton me 13 pikë, e renditur në vendin e 26-të, nga vendi i 28-të i një viti më parë.
Madje, Shqipëria lë pas në renditje shumë vende të zhvilluara europiane, si: Spanja, Portugalia, Bullgaria, Rumania, madje edhe Danimarka apo Zvicra. Përllogaritja e indeksit të përgjithshëm bëhet mbi bazën e kufizimeve ligjore në secilin vend. Shtyllat ku bazohet vlerësimi janë tre: kushtetuesja me qeverisjen, edukimi, shoqëria/familja/feja, dhe në fund liria e shprehjes.
Ndërkohë që në atë të edukimit dhe atë të fesë Shqipëria rezulton të ketë liri të plotë, ilustruar me ngjyrën e gjelbër, në atë të qeverisë dhe të lirisë së shprehjes nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Sa i përket lirisë së shprehjes, Shqipëria figuron si një vend me liri të kënaqshme por që sërish ka disa kufizime sa i përket lirisë politike apo të medias.
Kur bëhet fjalë për lirinë e qeverisjes dhe kushtetutës Shqipëria ilustrohet me ngjyrën portokalli, çka përkthehet në trajtime diferenciale, apo edhe në përjashtime fiskale diskriminuese. Belgjika, Holanda dhe Taivani janë tre vendet e para të listës dhe tre vendet e vetme ku të 4-ta shtyllat kanë liri maksimale. Në vend të fundit ndërkohë renditet Arabia Saudite, me kufizime të rënda në të 4-ta shtyllat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.