Shqipëria në “shënjestrën” e Kinës – Raporti i OKB për investimet: Rritet ndjeshëm interesi
“Unctad”, që është konferenca për investimet dhe tregtinë e Kombeve të Bashkuara ka publikuar së fundmi raportin vjetor global të investimeve 2017.
Në pjesën dedikuar Europës Jug-Lindore, Shqipëria zë një vend protagonist. Vendi ynë dhe Maqedonia vlerësohen si dy vendet me rritjen më të madhe të investimeve të huaja direkte.
“Shqipëria, një përfitues gjithmonë e më i madh i këtyre investimeve, po tërheq si investitorët tradicionalë, ashtu edhe ata të rinj”, thuhet në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndër të tjera, kur flitet për Shqipërinë vihet theksi te rritja e ndjeshme e interesit dhe investimeve nga kompanitë kineze.
“Interesi nga investitorët kinezë po rritet, si nëpërmjet investimeve direkte, ashtu edhe nëpërmjet formave të tjera të përfshirjes. 12 firma kineze kanë shfaqur interes në projekte për ndërtimin e rrugëve, si dhe kanë siguruar aksesin në burimet natyrore, por edhe kontrollin e aeroportit nënë Tereza”, thuhet në raport për Shqipërinë.
Të dhënat e vitit 2016, vazhdojnë ti japin Shqipërisë vendin e dytë në rajon sa i përket investimeve të huaja direkte në terma absolutë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.