Shqipëria s`del dot nga lista – Azilantët, 1 në 20 shqiptarëve i’u pranua kërkesa në 2017
Pavarësisht faktit se Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurtë origjine, 1 në 20 shqiptarë që aplikuan për azil në një prej vendeve të Bashkimit Europian gjatë vitit të kaluar, morën përgjigje pozitive, duke u pranuar si azilantë.
Eurostat thotë se norma e pranimit për shqiptarët e Shqipërisë gjatë 2017-ës ka qenë 5%, e vogël në krahasim me vendet e tjera por sërish domethënëse, pasi tregon se disa vende europiane ende e cilësojnë Shqipërinë si një vend ku qytetarëve të saj i`u rrezikohet jeta.
Paçka se Shqipëria është e fundit në listë, thjesht prania në atë listë vijon të mbetet një njollë turpi.
Në 2017-ën 25512 shqiptarë aplikuan për azil në një prej vendeve të Bashkimit Europian, çka do të thotë se rreth 1200 prej tyre, i`u pranua kërkesa, duke llogaritur se një pjesë e tyre e kanë marrë përgjigjen këtë vit apo janë ende në pritje dhe faktin se një pjesë e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive kanë ardhur në 2016.
Mes 20 vendeve që rezultojnë në listën e vendeve të origjinës që përfituan azil gjatë 2017-ës figuron edhe Kosova, e parafundit, me një normë pranimi në 9%, çka do të thotë se, thuajse 1 në 10 shqiptarë të Kosovës që aplikoi, u pranua. Në vend të parë të listës qëndron Siria, me një normë pranimi në 94%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.