Shqipëria zgjat deri me 31 dhjetor 2022 emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Çfarë nënkupton ky vendim
Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike në Shqipëri do të zgjasë deri me 31 dhjetor 2022. Ky është vendimi i qeverisë që ka zgjatur afatin ligjor të emergjencës, pas skadimit të tij në mesin e këtij muaji.
Në tetorin e vitit të kaluar, qeveria shqiptare shpalli gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, duke urdhëruar kompanitë publike të pezullojnë planet e investimeve. Vendimi i tetorit parashikonte që gjendja e emergjencës të zgjaste deri në datën 15 prill.
Referuar këtij vendimi, kompanitë e energjisë elektrike në Shqipëri, KESH e OSHEE duhet të vijojnë pezullimin e planeve të invetsimeve, duke realizuar vetëm ato që konsiderohet si investime të domosdoshme për vijimin e veprimtarisë së tyre.
Referuar vendimit, kompanitë duhet të koordinojnë aktivitetin e tyre me qëllim garantimin e pandërprerë të furnizimit me energji elektrike, raporton SCAN.
Vendimi i fundit i qeverisë, nënkupton gjithashtu vijueshmërinë e funksionimit të grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Ky grup drejtohet nga zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj dhe ka në përbërje një serë përfaqësuesish të tjerë nga institucionet që lidhen me sektorin energjisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.